Çfarë janë ndërmarrjet sociale?


Ndërmarrjet sociale janë organizata jofitimprurëse, që synojnë mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël, nëpërmjet:

Punësim të individit për burime të mjaftushme jetese në përputhje me dinjitetin njerëzor.
Mundësi punësimi për personat, të cilëve mosha, shëndeti dhe gjendja familjare nuk u lejon të jenë aktivë në tregun e punës.
Ofrim të larmishëm të mallrave dhe shërbimeve me cilësi të mirë, mundësi për individët me nevoja të veçanta duke synuar barazi gjinore.
Integrim ekonomik e social të grupeve në nevojë, duke nxitur përgjegjshmërinë, solidaritetin dhe kohezionin shoqëror në komunitet.

Qëllimi i këtyre ndërmarrjeve sociale është punësimi i personave që janë të pafovorizuar në tregun e punës. Kategori si ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, jetimët, gratë viktima të dhunës dhe trafikimit etj.

Sa i përket formës juridike të sociale, parashikohet të jetë një organizatë jofitimprurëse por struktura e ndërmarrjes është vendimmarrëse dhe ekzekutive. Pjesë e këtyre ndërmarrjeve janë edhe punonjësit vullnetarë.

 

Fushat e veprimtarisë së ndërmarrjeve sociale:


Shërbime shoqërore
Ndërmjetësim për punësim
Punësim i të rinjve
Shërbime shëndetësore
Shërbime në arsim
Mbrojtje mjedisore
Promovim i turizmit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore
Veprimtari sportive, argëtim dhe socializim

 

Statusi i ndërmarrjes sociale dhe kriteret për ta fituar atë:

 

Kriteret ekonomike

Ndërmarrja sociale duhet të ushtrojë në mënyrë të vazhdueshme një veprimatari në fushën e prodhimit të mallrave dhe/ose ofrimit të shërbimeve.
Të paktën, 20% e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit, dhe, të paktën, 30% e të ardhurave, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit.
Në veprimtarinë e saj ndërmarrja sociale, përveç kontributit të vullnetarëve, duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe, të paktën, 3 punonjës me pagesë.
Të ardhurat e realizuara nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrja sociale i shërbejnë zgjerimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre.

Kriteret sociale

Ndërmarrja sociale synon nxitjen e objektivave sociale në një fushë veprimtarie të mirëpërcaktuar. Të punësojë punëmarrës nga grupet e pafavorizuara, të paktën 30% të personelit.
Të paktën, 30% e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin kategorisë së grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike, të parashikuara në ligjin për ndërmarrjet sociale.

(Pas përfitimit të statusit të ndërmarrjes sociale, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, është i detyrueshëm, përdorimi i emërtimit “Ndërmarrje sociale” vendoset në krah të emrit të organizatës.)

(Rregullimi ligjor për subjektet “Ndërmarrje sociale” realizohet përmes ligjit Nr.65/2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”. Ky akt shënon një hap përpara në kuadër të modernizimit të mbrojtjes shoqërore, të promovimit të barazisë gjinore dhe në përgjithësi i përmirësimit të situatës ekonomike dhe sociale në vend.)

Ka hyrë në fuqi udhëzimi nr. 602, datë 1.8.2018 i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për procedurat dhe dokumentacioni për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.

Sipas udhëzimit të ministres, procedura e marrjes së statusit iniciohet nga vetë organizata jofitimprurëse me anë të një kërkesë drejtuar ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale. Kërkesa duhet të jetë në formë të shkruar dhe duhet të përmbajë edhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës dhe parashtrim të arsyeve se si organizata përmbush kriteret ekonomike dhe sociale të parashikuara në ligj për ndërmarrjet sociale.

Udhëzimi parashikon që kur një ndërmarrje sociale ushtron veprimtari për të cilat nevojitet licencë, pajisja me licencë, sipas përcaktimeve ligjore që rregullojnë licencimin, duhet të sigurohet përpara aplikimit për marrjen e statusit.

Krahas kërkesës për marrjen e statusit, subjektet e interesuara duhet të paraqesin vërtetim të lëshuar, jo më vonë se tre muaj para datës së aplikimit, nga Zyra e Regjistrimit të OJF-ve te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një kopje të statutit dhe aktit të themelimit dhe një vendim të organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse ku të shprehet qëllimi i organizatës për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.

Gjithashtu, subjekti i interesuar për të marrë statusin e ndërmarrjes sociale duhet të paraqesë dokumente të tjera që vërtetojnë përmbushjen e kritereve ekonomike e sociale, kopje të licencës, nëse do të jetë rasti si dhe një kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti. Ndërkaq, nëse dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë ose kur vlerësohet e arsyeshme, strukturat përkatëse mund të kërkojnë dokumentacion shtesë përveç atij të paraqitur nga kërkuesi.

Verifikimi

Udhëzimi parashikon që nëse vlerësohet e nevojshme, gjatë procedurës së vlerësimit të kërkesës, strukturat përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale mund të kryejnë vizitë vlerësuese në mjediset ku ushtron veprimtarinë organizata.

Në çdo rast kërkuesit njoftohen për vendimin e njohjes apo refuzimit të statusit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast të përmbushjes së kritereve ligjore, njohja e statusit bëhet me urdhër të ministrit. Në rast të refuzimit të statusit, njoftimi duhet të përmbajë edhe arsyet e refuzimit. Në rast të njohjes së statusit, organizata jofitimprurëse detyrohet të përdorë emërtimin “Ndërmarrje Sociale” përkrah emrit të organizatës”.

 

Statusi i ndërmarrjes sociale humbet nëse:


Ndërmarrja sociale, me iniciativën e vet, i drejtohet me kërkesë të motivuar ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale.
Vërehen parregullsi të rëndësishme dhe/ose të përsëritura në veprimtarinë e ndërmarrjes sociale.
Statusi është fituar nëpërmjet mashtrimit, kanosjes, mitmarrjes, konfliktit të interesit, falsifikimit apo një veprimi tjetër, që përbën vepër penale.
Ndërmarrja sociale ka ndërprerë veprimtarinë për një periudhë më të gjatë se 6 muaj ose është shpërndarë.


Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë e tyre me mjete financiare që mund t’i sigurojnë nga këto burime:

 

Donacione private


Subvencione publike, të lidhura me misionet e tyre të mbështetjes sociale dhe punësimit
Të ardhura të realizuara nga shitja e mallrave dhe tarifat e shërbimeve
Të ardhura të tjera, të njohura nga legjislacioni në fuqi.

Koncepti i ndërmarrjes sociale është ende i paqartë në Shqipëri. Edhe pse shteti ka legjislacion të specifikuar të ndërmarrjes sociale, që në vitin 2016, ai njeh vetem OJF-të si të vetmin subjekt të ligjshëm që mund të përfitojë statusin e një ndërmarrjeje sociale. Gjithashtu, ligji anashkalon integrimin e punës me ofrimin e shërbimeve sociale; ndërmarrjet sociale duhet të sigurojnë një listë të mirëpërcaktuar të shërbimve sociale ofruar për grupet e margjinalizuara dhe njëkohësisht duhet të sigurojë punësimin e një numri të konsiderueshëm të njerëzve nga grupet e margjinalizuara.

Bazuar në Ligjin mbi Organizatat JoFitimprurëse No.8788/2001, dhe amendamentet në vitet 2007, 2013 dhe Ligjin për Regjistrimin e Organizatave JoFitimprurëse No. 8789/2001, një OJF shqiptare mund të operojë si një shoqatë, qendër ose fondacion.

OJF-të mund të ndërmarrin aktivitet ekonomik pa themeluar një entitet më vete, duke qenë se organizata është e deklaruar si një nga burimet e të ardhurave. Për më tepër, veprimtaria joekonomike e OJF-ve duhet të mbizotërojë në lidhje me pjesën tjetër të aktiviteteve të saj: çdo aktivitet ekonomik nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave vjetore të tij për të përjashtuar taksën.

Qëllimi social i një OJF është i detajuar në misionin dhe statutin, që shpjegohet qartë në të gjitha dokumentat formale. Qëllimi fillestar duhet t’i drejtohet një problemi specifik social që merr në konsideratë nevojat e patrajtuara të një grupi të popullsisë. OJF-të janë ligjërisht të detyruara të sigurohen që nevojat e grupit të margjinalizuar janë përfaqësuar siç specifikohet në statut. Të ardhurat e gjeneruara nga aktiviteti ekonomik duhet të përdoren për të plotësuar nevojat e parashikuara në statut.